Shkodër, 4000 ha tokë dhe Xhamia e Plumbit nën ujë

Pas reshjeve pa ndërprerje të ditëve të fundit, në Shkodër rezulton se harta e përmbytjeve është zgjeruar sërish, ku plot 4 mijë ha tokë janë përmbytur. 

Kështu në Bushat numërohen 800 ha tokë nën ujë, 5 banesa me prezencë uji, ndërsa 60 të tjera janë të rrethuara nga uji.

Prurjet e lumenjve që vijnë nga Mali i Zi kanë rritur nivelin e Liqenit të Shkodrës, i cili ka dalë mbi sipërfaqen e tij të zakonshme, duke përmbytur pedonalen në hyrje të qytetit. Ndërkohë një situatë e tillë e ngjashme është edhe në zonën e Shirokës. 

Lokalet buzë liqenit tashmë janë përmbytur, ndërsa prania e ujërave është e konsiderueshme edhe në aksin Shkodër-Shirokë. 

Specialistët e Shtabit të Emergjencave sqarojnë se Liqeni i Shkodrës ka dalë nga shtrati si pasojë e prurjeve të mëdha të lumenjve. 

Situatë e rëndë paraqitet edhe në fshatin Obot, ku mjaft banesa prej një jave ndodhen nën ujë.

Ka pasur një reagim për Xhaminë e Shkodrës. Imami i ka kërkuar qeverisë dhe Ministrisë së Kulturës të reagojë për të rregulluar kompleksin në Xhaminë e Plumbit për të mos pasur përmbytje se pasi ajo për shkak të gjendjes së përkeqësuar mund të shkojë drejt përmbytjes.

“Situata në të cilën ndodhet Xhamia e Plumbit në qytetin e Shkodrës është një turp i madh për të gjithë.” Ka qenë ky reagimi i Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed Sytari gjatë një deklarate për shtyp në lidhje me përmbytjen e këtij objekti kulti që njëkohësisht është monument kulture. 

Sipas myfti Sytarit, është e patolerueshme degradimi i kësaj xhamie nga përmbytjet e njëpasnjëshme ku gjatë 3 viteve të fundit ka njohur disa përmbytje dhe kjo si shkak i mos ndërtimit të projekteve që do evitonin përmbytjen e saj. 

“Jo vetëm që nuk bëhen investimet e duhura, por nuk jepet publiksht përmbytja e xhamisë. Edhe pse është nën ujë heshtet për të.” Ka pohuar Muhamet Sytari. 

Komuniteti Musliman dhe myftinia e Shkodrës që disa herë e ka ngritur zërin për realizimin e projekteve të ndryshme për ta mbrojtur Xhaminë e Plumbit, por realiteti është ky që ne shohin sot. 

“Ndaj me të drejtë mund të shtrohet pyetje deri kur do të vazhdojë kjo katrahurë me këtë xhami të vjetër, me këtë objekt aq të rëndësishëm për Myftininë e Shkodrës, por edhe për mbarë muslimanët e Shqipërisë .Çfarë do të ndodhë pas kësaj dite? A do të ndryshojë diçka nga ky realitet?, ka shtruar pyetjet Myftija i Shkodrës”. 

Numri një i Myftinë ka vazhduar duke pohuar: “Njëkohësisht, ne do të vazhdojmë të besojmë dhe të kemi shpresë të madhe në Zotin, që kjo Xhami e ndërtuar me sinqeritet dhe mjeshtri të rrallë, nuk do të shuhet as do të tretet, do të nusërojë.., jo shumë larg nga kjo kohë” ka përfunduar deklaraten e tij Myftiu Sytari. 

Ndërkohë që burime nga Bashkia Shkodër bëjnë me dije se, Xhamia e Plumbit, një prej veprave më të rëndësishme kulturore në Shkodër, e ndërtuar në vitin 1773, është së fundmi nën ujë prej disa ditësh, ndërsa niveli i tij ka ardhur duke u rritur si rezultat i prurjeve të mëdha të lumit Kir si dhe të reshjeve të mëdha që kanë rënë gjatë këtyre ditëve. 

/Shekulli Online/Përgatiti: B.M./A.D./

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Komente

Të tjera

Abissnet