19-vjeçari: Kam edhe 2 muaj jetë, më shpëtoni!

I diagnostikuar me një sëmundje të rëndë tumorale, 19-vjeçari nga Berati, Elian Qama bën apel për ndihmë; Një tumor shumë agresiv të cilit i ka bllokuar ezofagun dhe e pengon atë të ushqehet normalisht. Ndërhyrja mjaft e kushtueshme

Enida Vërça

“Kam edhe 2 muaj jetë, më shpëtoni!”, ky është apeli drithërues që bën nëpërmjet gazetës “Shekulli” 19-vjeçari nga Berati, Elian Qama. Ai thotë se vuan nga një sëmundje e rëndë dhe e rrallë që quhet ‘chordome cervical’. Një tumor shumë agresiv të cilit i ka bllokuar ezofagun dhe e pengon atë të ushqehet normalisht. “Ky lloj tumori rrezikon të më marrë jetën duke më bllokuar frymëmarrjen. Më është bllokuar e gjithë frymëmarrja dhe e kam të pamundur të ushqehem normalisht”, thotë Eliani. Aktualisht 19-vjeçari ndodhet në Belgjikë, ku duhet të kryhet një ndërhyrje kirurgjikale e shoqëruar me radioterapi, e cila i siguron atij jetën. “Në Shqipëri nuk pati asnjë zgjedhje për mua, aty isha i destinuar që të vdisja. Këtu në Belgjikë, një ndërhyrje kirurgjikale e shoqëruar me radioterapi do të më jepte mundësinë t’i mbijetoja kësaj sëmundjeje”, bën me dije ai. Më tej shton se mungesa e dokumentacionit dhe e kartës së shëndetit në Belgjikë e detyron që të paguaj një shifër mjaftë të lartë, të cilën e kanë të pamundur ta përballojnë. “Duke mos qenë i siguruar me dokument dhe kartë shëndetësore, unë dhe familja ime duhet të paguajmë gjithë faturat që janë tepër të kushtueshme. Më ndihmoni, kontributi i të gjithëve ju është mjaft i vyer për mua “, bën apel i riu.

Sëmundja

Në fjalën e tij Eliani thotë se ka vetëm një muaj që ka mësuar të vërtetën rreth sëmundjes së tij, pas ekzaminimit të bërë në një spital privat në Shqipëri. “Rreth një muaj më parë mësova për sëmundjen. Më pas ekzaminimi u bë edhe nga doktorët belg. Kjo ka qenë arsyeja që edhe rastin e bëmë publike tani, sepse donim të siguroheshim”, thotë ai. 19-vjeçari tregon se është studenti cili ka mbaruar vitin e parë, në degën Informatike-Ekonomike. “Për këtë vit i kam ngrirë studimet, pasi nuk e di se si do të marri puna ime. Shkolla më pëlqen shumë, uroj ta fitoj këtë betejë dhe t’i rikthehem normalitetit”, duke shtuar më tej se ata që po e vuajnë më shumë këtë situatë janë prindërit e tij. “Jemi të gjithë në një situatë të rëndë, por ata që po vuajnë më shumë sëmundjen time, janë prindërit e mi, të cilat janë me mua dhe po luftojnë me kohën për të siguruar ato para, për të më shpëtuar”.

Mbështetja

Eliani thotë se para nisjes për në Belgjikë, ka kërkuar ndihmë nën institucionet shqiptare, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. “Familjarët e mi, po bëjnë çfarë kanë në dorë, për të grumbulluar atë shumë që është kërkuar, por është e vështirë. Ne i kemi dërguar edhe një letër ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ku kërkojmë ndihmë nga shtetit, ende nuk ka një përgjigje prej saj. Uroj që ky mesazh të përcillet te të gjithë dhe të më japin një shans për të vazhduar jetën. Nëse, secili prej jush do të mundte të kontribuonte, rreziku për jetën time do të ishte në ulje. Numri i llogarisë është:  BE79 1030 6386 1333. Ndërsa për të gjithë ata të cilët duan të bëjnë derdhje parave nga jashtë shtetit, duhet edhe ky kod: BIC NICABEBB”, thotë ai.

Spitali belg

Gazeta “Shekulli” ka siguruar edhe përgjigjen e spitalit Universitar “Chu Sart-Tilman Liege” në Belgjikë, i cili konfirmon sëmundjen tumorale të 19-vjeçarit, ku sipas bluzave të bardha masa është duke u rritur nga dita në ditë dhe nëse nuk bëhet ndërhyrja, mundësia e përhapjes rritet. Në ekzaminimin fizikë thuhet “Masa tumorale solide heterogjene në hapësirën centrale-sinsiter, në nivelin e orofarinksit dhe hipofarnikst, me infiltrim dhe të trupave vertebrale C3 dhe c4, me përmasa 39x 41 x47 mm, me sinjal heterogjen, me kontrastim heterogjen. Lateralisht shtrirje e lezionit në hapësirën karotide. Lezioni në kontakt me venën jugulare interne dhe arterien karotide, interne sinsiter. Posteriorisht në kontakt me arterien vertebrale të majtë. Limfondoul në nivelin IV sinister, me përmasa 14X8 mm”.

Operacioni kushton 300 mijë euro

Izmir Bufi i afërm i 19-vjeçarit deklaron për “Shekulli”-n se kjo sëmundje prek 1 në 1 milion banorë dhe operacioni kushton shumë shtrenjtë, rreth 200-300 mijë euro, për këtë arsye është i nevojshëm kontributi i të gjithëve. “Eliani nuk ka kohë, ne jemi ngushtë me kohën. Afati kohor për të kryer këtë ndërhyrje është 2 muaj. Nëse doktorët do të kishin dhënë edhe tre muaj kohë, familja e tij ka arritur të sigurojë në avokat, për të bërë dokumente belge, që të behej legal, do të ishte me e lehtë. Kjo procedurë zgjat 3 muaj dhe nuk ka kohë që të presim për të bërë këto dokumente. Aty Eliani do të kryejë një proto terapi, ku kurohet pas operacionit që do të duhet të kryejë”, thotë ai. Më tej shton se vendimtare për jetën e Elianit është vetëm operacioni, i cili mund të kryhet vetëm nëse do të mblidhet kjo shumë parash. “Spitali që ofron shërbimin për kryerjen e kësaj ndërhyrje kirurgjikale, kërkon shumën e lekëve si një garanci, për të nisur menjëherë ndërhyrjen. Nëse ato lekë do të mblidhen, Eliani do të shpëtojë”, përfundoi ai.

Tumori që bllokon kanalet e ushqimit

“Chordome cervical”, është një tumor i cili bllokon ezofagun dhe nuk lejon që personat e prekur më këtë sëmundje të ushqehen normalisht. Heqja e masës tumorale, kryhet vetëm me operacion. Qëllimi i operacionit për kordomat sakrale është heqja plotësisht e tumorit në një copë (në bllok) me kufij të gjerë të indeve që e rrethojnë, duke shmangur një përhapje të mundshme të tumorit kur hiqni tumorin. -ci. Pas operacionit për heqjen e tumorit, ka të ngjarë të kërkohet kirurgji plastike dhe rikonstruktive për të riparuar ose zëvendësuar indet e hequra gjatë operacionit. Për shkak të rreziqeve të operacionit, terapia me rrezatim mund të jetë një alternative për kirurgjinë për disa pacientë. Kirurgët zakonisht mund të parashikojnë ashpërsinë e këtyre efekteve të padëshirueshme në varësi të vendndodhjes së tumorit dhe nervave të përfshirë.  Sidoqoftë, radioterapia vetëm është më pak efektive kundër tumorit sesa trajtimi që përdor si operacionin ashtu edhe radioterapinë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet