14 telegrame të delegatëve të Pavarësisë në muze

Publikuar më 29. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

U çel dje në Muzeun Historik Kombëtar një ekspozitë, dedikuar 105-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. I pranishëm ishte drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Kocci dhe koleksionisti Shpëtim Sala. Objekt kryesor i kësaj ekspozite tematike është pena, me të cilën është nënshkruar Akti i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, aparati telegrafik mors, me të cilin Qeveria e Përkohshme e Vlorës ka marrë e ka dhënë telegrame gjatë periudhës 1912-1914. Në stenda ishin ekspozuar objekte të protagonistëve të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe flamuj të periudhës së Pavarësisë të rretheve të ndryshme, foto origjinale të Ismail Qemalit, foto të firmëtarëve, që nënshkruan Aktin e Shpalljes së Pavarësisë, dorëshkrime origjinale, gazeta e revista të asaj periudhe etj. Një vend të rëndësishëm në ekspozitë zinin flamujt e shoqërive atdhetare, të cilat ndezën dëshirën e patriotëve shqiptarë, që Shqipëria të ishte e lirë dhe e pavarur.

Janë flamuj, që janë përdorur që nga viti 1912 deri në 1920 dhe që kanë të bëjnë me përpjekjet e mëdha të shqiptarëve në kuadër të shtetformimit.

Presidenti i Qendrës Mbarëkombëtare të Koleksionistëve të Shqipërisë, Shpëtim Sala tha se: “Ekspozita për 105-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë vjen në frymën e shumë bashkëpunimeve të Qendrës me Muzeun Historik Kombëtar”. Në këtë ekspozitë Sala veçoi 14 telegramet, të cilat hedhin dritë se çfarë ka ndodhur gjatë ditëve të ngarkuara të Nëntorit 1912. “Këto telegrame tregojnë modelin se si Ismail Qemali ka organizuar mbledhjen e përfaqësive të krahinave dhe rretheve të ndryshme në Vlorë.

Fillimisht u ka dërguar telegrame përfaqësueseve të ndryshëm të të gjithë Shqipërisë, kuptohet që një pjesë ka qenë e pushtuar nga serbët apo grekët, ndërsa pjesa tjetër ka marrë telegrame dhe janë mbledhur në Kuvendin e Vlorës”. Një prej tyre është edhe telegrami i Ahmet Zogut, në të cilin thotë, se do të ishte përfaqësues. Sala tregon se telegramet e ekspozuara janë kopje, ndërsa vitin tjetër kanë menduar që të bejnë edhe një botim për to. “Disa prej tyre janë në osmanishte. Përkthimi i tyre nga osmanishtja është shumë i vështirë, ndërsa përmbajtjen e dimë se cila është”.

Këto telegrame u përkasin koleksionistëve, bashkë me shënime të tjera, që do të botohen gjatë vitit që vjen. “Ne jemi mësuar me një histori të censuruar. Në vitin 1962 u bën përpjekje të mëdha për mbledhjen fakteve, por sërish pati seleksionime. Janë shumë figura historike, janë 40 firmëtarët, që një pjesë i kemi riprodhuar, ndërsa një pjesë e emrave të tyre nuk janë”.

Në fund nxënësit e shkollës “Gustav Majer” dhanë një koncert me këngë dhe recitime për të pranishmit, që ndodheshin në hollin e Muzeut Historik Kombëtar. Ekspozita do të qëndrojë hapur deri më 4 dhjetor 2017.