Sporti shqiptar në 100 vjet

Në vitin 1906 një prift anglez i quajtur Ruter vizitoi kolegjin saverian të jezuitëve në Shkodër dhe solli me vete një top futbolli dhe rregullat e kësaj loje. Megjithëse ky e solli topin për nxënësit e kolegjit, loja e futbollit u përhap me shpejtësi në rrugicat dhe lagjet e qytetit duke fituar popullaritet. Erdhi dita që futbollistët e qytetit, që ishin shegertë dhe fëmijët e punëtorëve formuannë 1909 të formonin skuadrën e tyre të parë, me emrin “Indipendenca”. Me gjithë kundërshtitë fetare të kohës, skuadra u bë krenaria e qytetit. Meritë të veçantë në përhapjen e futbollit dhe krijimin e ekipit kishte patrioti Palok Nika. Në tetor 1913 “Indipendenca” zhvilloi takimin e parë ndërkombëtar me skuadrën e ushtrisë austriake. Ndeshja përfundoi 2-1 në favor të miqve. Takimi u ndoq me interes të madh nga sportdashësit shkodranë, ndër të cilët edhe gra. Patrioti Hilë Mosi i cili qysh më 1909 ishte përpjekur të krijonte një shoqëri sportive, në bashkëpunim me patriotët Luigj Gurakuqi dhe Bajram Curri themeloi shoqërinë “Vllaznia”. Kryetar i saj u zgjodh Mosi i mbështetur nga Sali Nivica, Mati Logoreci, Kel Marubi. 

Në Korçë luhej futboll, po zhvillo-heshin edhe gara vrapimi e kërcimi, çiklizëm me biçikleta publike të kohës. Jo më vonë se prilli i 1909-s krijohet shoqëria” Vllazëria”. Sërish nismëtar ishte Hilë Mosi, i cili atëkohë punonte mësues i edukimit fizik në Korçë. Në radhët “Vllazërisë”, ishin patriotët Mihal Grameno e Orhan Pojani. Deri në vitin 1928 u krijuan shoqëritë “Sport Klub Vlora”, “Sport Klub Tirana” që themelohet më 1927 falë kontributit të Selman Stërmasit, e në vazhdim, “Atdheu” e “Adriatiku” në Durrës e Kavajë, “Tomori” në Berat. Midis klubeve sportive zhvilloheshin ndeshje futbolli, ndonjë garë sporadike atletike si dhe takime ndërkombëtare. Në vitin 1922 “Vllaznia” ndeshet me “Cetinën” dhe “Cërna Gorën” të Jugosllavisë si dhe Tivarin. Më 1926, “Sport Klub Korça” ndeshet me “Manastirin” dhe “Selanikun”. Ndërsa “Sport Klub Tirana” më 1927 përballet me Cetinjën dhe Durrësi me Barin. Shoqëritë sportive kështu, konsiderohen si celulat e para të organizimit vullnetar të sportit në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe dolën një plejadë sportistësh. Historia e organizimit shtetëror të sportit fillon me krijimin e Kushtetutës së vitit 1928 që përcaktonte regjimin monarkik të Shqipërisë. Qeveria e Zogut duke parë ecurinë e sporteve, nxori dekret ligjin e 6 qershorit 1930 për formimin e Federatës Sportive Shqiptare, organ i entit kombëtar “Djelmënia shqiptare”. Qëllimi i Federatës ishte grumbullimi i masave sportive të rinisë dhe rregullimi e organizimi i shfaqjeve sportive lokale kombëtare dhe ndërkombëtare. Në çdo qendër prefekture u formuan shoqatat sportive krahinore, të cilat vareshin drejtpërsëdrejti nga federata. Patrone e lartë e sportit ishte princesha Myzejen. Aktiviteti sportiv i Federatës, ndahej në tre kategori: lojëra sportive, atletikë, sporte të ndryshme (not, çiklizëm, boks dhe mundje). Kryetari i parë i Federatës ka qenë Izedin Beshiri dhe disa më muaj më pas, erdhi në krye ministri i Brendshëm Musa Juka. Në vitet 1930-‘33 u organizuan kampionatet kombëtare të atletikës, futbollit, notit. Më 1932 FSSh-ja u regjistrua anëtare e FIFA-s. Më 13 gusht 1935 u themelua në Tiranë Federata e Shoqërive Sportive e Artistike “Vllaznia Shqiptare”, me kryetar ministrin e Arsimit Dr. Mirash Ivanaj, i cili i dha rëndësi fizkulturës në shkollë. Edhe kjo Federatë u bë anëtare e FIFA- s, por me rëndësi është që Federata nisi botimin e gazetës “Sporti Shqiptar” nën drejtimin e Anton Mazrekut. Po atë vit ndërpriten aktivitetet kombëtare për mungesë te fondeve financiare. Më 6 shkurt 1937 “Sporti Shqiptar” njoftonte: “FIFA i ka bërë ftesë Shqipërisë të marrë pjesë në kampionatin e tretë botëror të futbollit.” Kampionati zhvillohej një vit më vonë në Francë, por paratë penguan pjesëmarrjen e Shqipërisë, megjithëse kishte një plejadë shumë të mirë futbollistësh. 

Periudha e dytë 1940-‘90

 Pushtuesit dhe qeveritë kuislinge shpërndanë Organizatën “Vllaznia Shqiptare”, mbyllën “Sportin Shqiptar” dhe aktivitetin e lanë në dorë të organizatës fashiste GLA (Gioventu’ Litorio Albanese) dhe “Dopo Lavoro”-s (klubet pas pune). Fronti Nacional-Çlirimtar organizoi disa aktivitete sportive për rininë dhe ngritën organizata sportive. Të kësaj kohe janë skuadrat: Agimi, Shpresa, Rrufeja, Shqiponja, Naim Frashëri, Bashkimi Dibran, Rapidi, Skënderbeu, etj. Pas luftës ndërron panorama. Në fillimin të vitit 1945, krijohet Seksioni i Fizkulturës dhe Sportit, pranë Ministrisë së Kulturës e Propagandës. Detyra e tij ishte organizimi dhe zhvillimi i planifikuar i kulturës fizike dhe sportit në masë të gjerë. Për këtë qëllim, në qershor 1945 qeveria vendos krijimin e Federatës Sportive Shqiptare, me kryetar Anton Mazrekun, një nga figurat më të shquara të futbollit dhe sportit tonë kombëtar. FSSh-ja nxori menjëherë kalendarin e parë sportiv për futboll, atletikë, not, basketboll, volejboll, e më vonë gjimnastikë, mundje, shah, çiklizëm, qitje e tenis, të cilat u realizuan nëpërmjet kampionateve kombëtare.U formuan në qarqe: Sport Klub Tirana, Sport Klub Skënderbeu, Sport Klub Dinamo, Sport Klub Bashkimi, Sport Klub Tomori, Apolonia e Fierit, Shqiponja e Gjirokastrës, Besa e Kavajës, Ylli i kuq i Pogradecit, Erzeni i Shijakut etj. Krijohet Klubi Sportiv Partizani, që përfaqësonte punonjësin dhe efektivin e ushtrisë popullore të drejtuar dhe financuar nga Ministria e Mbrojtjes. Më 2 korrik 1945 mblidhet një konferencë kombëtare e klubeve sportive të Shqipërisë, ku ministri i Kulturës Popullore, në një të njëjtën kohë dhe kryetar nderi i Federatës Sportive, Sejfulla Maleshova, përcjell njoftimin për organizimin në Tiranë të Lojërave Ballkanike, 7-13 tetor 1946. Ballkaniada me pjesëmarrjen e Shqipërisë, Jugosllavisë, Rumanisë dhe Bullgarisë, u zhvillua në futboll dhe atletikë. Shqipëria shpallet kampione e Ballkanit në futboll. Emrat e Boriçit, Tahirit, Xhiakomo Poselit, Dibrës, Llambit, Spahiut, Fagut, Demnerit, Kavajës, Parapanit, Telitit, Mirashit, Begejës, Biçakut me trajner Lubica Broçiç, mbeten të paharruar në historinë e futbollit shqiptar. Në atletikë, rezultatin më të mirë e arriti legjenda Belul Hatibi, duke marrë medaljen e argjendit në 110 metra me pengesa. Më 1947 krijohet Komiteti Shtetëror i Kulturës Fizike dhe Sportive, pranë këshillit të ministrave. Një vit më vonë hapet në Tiranë Teknikumi i Fizkulturës pranë stadiumit “Qemal Stafa” i cili u bë qendra kryesore e kualifikimit dhe përgatitjes se kuadrit dhe nxjerrjes së sportistëve. Me shkrirjen e FSSh-së në vitin 1949, filluan të ngriheshin shoqëritë sportive në qendër dhe në bazë, si shoqëria “Puna” e cila përfshinte punonjësit e të gjithë qendrave industriale të vendit. Ajo varej dhe subvencionohej nga Këshilli Qendror i Bashkimeve Profesionale. Më vonë u formua “Shoqëria Spartak”, që përfaqësonte punonjësit e kooperativave të artizanatit, “Shoqëria Dinamo” nga punonjësit e Ministrisë së Brendshme, Policisë dhe Kufirit etj. Për t’u përmendur janë rezultatet e “Partizanit” në futboll në turneun e ushtrive të vendeve socialiste, shtator 1958 ne Lajpcig dhe në Hanoi dhjetor 1963, duke marrë të dy herët medaljet e argjendta. Komiteti bëhet Drejtori e Fizkulturës brenda së saj përfshihet gazeta “Sporti”. Gjatë kësaj periudhe 5-vjeçare fizkultura dhe sporti pati rënie të theksuar nga pikëpamja organizative dhe zbatimi i kompetencave. Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për shkrirjen e shoqërive sportive, riorganizimin e fizkulturës në një organizatë të vetme, që u quajt Bashkimi i Fizkulturistëve dhe Sportistëve të Shqipërisë (BFSSH). Linja shtetërore pati një unifikim të plotë në linjën shoqëror. Në shtator 1958 hapet Instituti i Kulturës Fizike dhe Sporteve “Vojo Kushi” e cila u bë qendra me e lartë e përgatitjes së kuadrit mësues dhe trajner. Shqipëria pranohet në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Mirëpo komiteti olimpik shqiptar nuk funksionoi si duhet dhe veprimtarinë administrative e kryente aparati i komitetit të KP të BFSSH-së. Megjithatë pjesëmarrja në lojërat olimpike nuk mungoi. Marrim pjesë në lojërat e Mynihut të vitit 1972. Në Mynih më 29 gusht 1972 nisin garat e kampionatit botëror të peshëngritjes në kuadrin e lojërave të 20-ta Olimpike. Peshëngritësi ynë Ymer Pampuri shpallet kampion bote në stilin e forcës në peshën 60 kg si dhe thyen dy herë brenda 5 minutave rekordin olimpik në shifrat 127.5 kg. Më vonë përfaqësimi ynë mungoi për arsye politike. Në shtator 1987 marrim pjesë në lojërat mesdhetare të Latakias, Siri dhe rezultatet nuk munguan. Në volejboll dhe basketboll për femra marrim medalje ari. Në peshëngritje nga Hysen Cenaj, sërish medalje ari. Në atletikë Ajet Toska në çekiç dhe Adriana Vejkollari në 800 metra medalje argjendi. Është për t’u përmendur rezultati i lartë i Pavlina Evros në mitingun e Nisës, ku mori medaljen e arit në garën e 1500 metrave. Organizimi i federatave sportive pranë komiteteve të KP të BFSSHsë u ruajt deri në vitin 1992. Në kushtetutën e RPSH u sanksionua me ligj kujdesi dhe interesi i qeverisë për kulturën fizike e sportin. Krahas vendimeve të përmendura më lartë, me interes të veçantë ishin vendimet e këshillit të ministrave për zbatimin e kompleksit GPM si program minimal i përgatitjes fizike të qytetarëve, vendimi mbi zbatimin e klasifikimit unik sportiv, krijimi shkollave sportive dhe klasave sportive, zhvillimi i spartakiadave të punonjësve dhe fshatarësisë kooperativiste. Për çdo vit qeveria akordonte fonde për këto veprimtari kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe sjelljen e bazës materiale nga jashtë. Përparësi patën sidomos investimet në sport, kështu në periudhën 1945-1990 u ndërtuan mijëra komplekse e terrene sportive në qytet e fshat 28 stadiume, 11 pallate sporti, 17 pishina. BFSSH-në dhe sportin e ndoqi politizimi si në gjithë fushat e jetës. Fillimisht ishte ndikimi i vendeve të lindjes dhe pas shkëputjes, ndikimi kinez, ku një prej masave ishte heqja e sportit të boksit. U ndërpre që nga viti 1962 përgatitja e kuadrove jashtë shtetit, vetëm disa kuadro të paktë studiuan në Kinë. Baza materiale sportive prodhohej në vend duke mos plotësuar standardet e duhura sportive. Veprimtaritë miqësore mbetën të reduktuara vetëm me Kinën, pak me Kosovën, Rumaninë, Algjerinë dhe Sirinë. Pas ndërprerjes së marrëdhënieve me Kinën më 1978, u pa mundësia e rimarrjes pjesë në të gjitha veprimtaritë ndërkombëtare, duke përjashtuar takimet me BS, ShBA, Izraelin dhe Afrikën e Jugut. 

Kristaq Miço Ish-zëvendëskryetar, Komiteti i KP, BFSSH   

 

Shkrimin e plotë e gjeni sot në gazetën Shekulli 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Komente

Të tjera

Tradhtia e patriotizmit

Nga Koço Kokëdhima Në të njëjtën ditë që Rama përmbysi shqiponjën “korb” në hyrje të Tiranës, Macron në Paris fliste…

Abissnet