1 Qershori/ Lefter Koka: Për çdo festë të marrim fëmijë jetim në shtëpitë tona (FOTO)

Publikuar më 01. 06. 2017 nga Eno Shkëmbi

Me rastin e 1 qershorit,  e njohur ndryshe si festa e fëmijëve, Lefter Koka, njëherazi kandidati kryesues në Qarkun e Durrësit për LSI, ka zgjedhur të jetë pranë fëmijëve jetim.

Nën ritmin e muzikës, lodrave shumëngjyrëshe dhe argëtimit fëminor, Koka, ka kaluar momente gazmore me fëmijët e Shoqatës së jetimëve në qarkun e Durrësit.

Koka ka sjellë në vëmendje  një moment trishtues të njërit prej fëmijëve të Gjovalin Kadellit, Admirit,  i cili kishte rrëfyer takimin me Papën gjatë kohës që i ati dërgjej i sëmurë në Itali, ndërsa vite më parë kishte humbur dhe nënën e tij. “E keqja nuk ka fund, por forca për ta përballuar është ajo që u nevojitet.  Ju bëhuni të forta për të përballuar vështirësitë me të cilën jeta ju ka përballur”, ka thënë Koka.

Mesazhi i këtij aktiviteti ishte për të rikthyer traditën e dikurshme, që çifte durrske shkonin pranë shtëpisë së Fëmijës për të marrë fëmijë në shtëpitë e tyre, për raste festash.  Për tu lehtësuar sado pak boshllëkun e mungesës së prindit për fëmijët.  Pjesë e aktivitetit ishin rreth 150 fëmijë, ndërsa pranë shoqatës së jetimëve në Durrës janë të regjistruar rreth 1600 fëmijë nga 0 deri në 16 vjeç.