1 në 4 aplikues fiton kredi të butë, nis faza e dytë

Nga Neritan Gjergo

Bashkia e Tiranës çel nga data 15 korrik fazën e marrjes së dokumenteve për 2200 kërkuesit e kredive për shtëpi. Nga këta fitojnë  500,  ja ndryshimet që ka vendosur komisioni për këtë fazë që zgjat 1 muaj

Bashkia e Tiranës hap aplikimet për fazën e dytë të dhënies së 500 kredive të buta për qytetarët e Tiranës.   Do të jetë, 15 korriku dita kur do të fillojë plotësimi dhe dorëzimi i dokumenteve në sportelet e bashkisë, dorëzim i cili do të kufizohet për një periudhë 30 ditore.  Për procesin e këtij viti, komisioni i kredive vendosi të punojë përmes dy fazave, ku e para tashmë ka përfunduar pas plotësimit të një formulari tip pranë njësive bashkiake, nga ku u seleksionuan të gjithë aplikantët për të nxjerrë 2256 emra që rezultuan brenda kritereve.

“Bazuar në vendimin e Këshillit Bashkiak me nr. 28, datë 29.03.2018, për miratimin e Programit Social të Strehimit ‘Për subvencionimin e interesave të kredisë’ njoftohen të gjithë qytetarët e interesuar të paraqesin aplikimet e tyre sipas Aneksit nr. 2 për këtë program pranë njësive administrative që kanë vendbanimin, nga data 15.07.2018 deri më 15.08.2018?, thuhet në udhëzimin e Bashkisë Tiranë.

Për të përfituar kredi, një familje e vogël me 1-2 persona duhet të ketë të ardhura mujore të deklaruara 44 mijë deri në 80 mijë lekë në muaj. Ndërsa për ato me më shumë se 5 persona, që mund të kenë në pronësi një banesë nën normat e strehimit dhe kërkojnë të sigurojnë një banesë 3+1, duhet të kenë të ardhura mujore nga 88-158 mijë lekë në muaj. Dhe brenda këtij kriteri të ardhurash, 2256 fituesit duhet të demonstrojnë përmes dokumenteve se janë brenda rregullave të parashikuara.

Ndryshimet

Bashkia bën të ditur se përpos dy fazave, janë përcaktuar tri kritere të reja për përfituesit. Së pari, ndryshon mosha e përfituesve, pasi është marrë në konsideratë fakti që disa përfitues për shkak të moshës së madhe janë penguar në klasifikimin për kredi. Tashmë mosha e çiftit duhet të jetë me moshë totale deri në 70 vjeç. Së dyti, afati subvencionimit të kredisë do të rritet nga 15 në 20 vjeç, duke bërë që kësti mujor për një familje përfituese të jetë më i ulët dhe më i përballueshëm. Së treti, ndryshojnë edhe të ardhurat e përkohshme.

Përfituesit

Përfitues potencial në programin “Subvencionimi i interesave të kredisë për familjet e reja” do të jenë familjet e reja që përbëhen nga çifti i ri me moshë totale deri në 70 vjeç, ku rezulton se janë 1025 të tilla. Po kështu, edhe familje të reja që kanë në ngarkim persona me aftësi të kufizuar apo persona në pension janë në garë për të marrë aprovimin e bashkisë, e më pas të bankave për kredinë e shtëpisë. Ndër kriteret e tjera që duhet të plotësojnë aplikantët e përzgjedhur, duhet të jetë mospasja në pronësi e një banesë,  dhe të mos kenë qenë përfitues të programeve të tilla të ngjashme më parë. Sipas bashkisë, duke u nisur nga problematikat e hasura gjatë thirrjes së parë është parë e arsyeshme të ndryshojnë disa nga përbërësit e skemës së subvencionimit të interesave të kredisë dhe kufijtë minimal dhe maksimal të nivelit të të ardhurave që duhet të plotësojnë aplikuesit.

Aplikimi

Në fazën e parë të aplikimit, çdo aplikant mbi moshën 18 vjeç dhe familjet që e regjistruara në zyrat e gjendjes civile të Bashkisë Tiranë, të cilat në momentin e aplikimit plotësonin kushtet e përcaktuara në pikat ligjit “Për programet sociale të strehimit” iu dha e drejta të paraqesin kërkesën për të përfituar nga programi “Subvencionimi i interesave të kredisë”. Aplikantët plotësuan Formularin e Strehimit TIP, pranë Njësisë Administrative përkatëse, formular, të cilit do t’i bashkëlidhin edhe dokumentacionin si: deklarata e vërtetësisë së informacionit të pasqyruar në formularin e strehimit, kopja e kartës së identitetit të aplikuesit, certifikata familjare. Pas plotësimit të formularit dhe dokumentacionit, Njësitë Administrative përkatëse i përcjellin ato në Bashkinë Tiranë, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Social, e cila realizon procesin e seleksionimit. Tashmë në fazën e dytë, familjet përfituese dorëzojnë pranë Zyrës së Pritjes me Qytetarin në Bashkinë Tiranë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, që vërteton deklarimin dhe vërtetësinë e plotësimit të formularit të strehimit, në bazë të të cilit janë përzgjedhur fitues.

Të dhëna

2256 aplikantë u shpallën fitues pas fazës së parë në muajin maj, bazuar në vërtetësinë e të dhënave në formular

258 emra nuk e kaluan fazën e parë, pasi në të dhënat e shënuara në formular, rezultonin jashtë kufirit të pagës së përcaktuar

Bazuar nga vetëdeklarimet janë :

1025 familje të reja, ku çifti i bashkëshortëve ka moshë të përbashkët totale deri në 70 vjeç

210 familje një prindërore që kanë në ngarkim fëmijë.

36 persona me aftësi të kufizuar

1543 me status “Të tjerë”

Dokumentet që duhet të plotësohen për të fituar kredinë

Gjithsej janë 20 dokumente që duhet të merren në zyrat e institucioneve që i lëshojnë, ose në portalin e-albania, e më pas të dorëzohen në sportelet e bashkisë,  aty ku do të protokollohet edhe dosja, për të vendosur nëse kalon ose jo. Por, duhet theksuar se sipas grup-kategorisë, një sërë dokumentesh eliminohen, dhe aplikuesit duhet të marrin vetëm ato që  i korrespondojnë statusit të tyre.

  • Formulari i Strehimit i plotësuar pranë njësisë administrative në të cilën aplikanti ka vendbanimin.
  • Certifikata e lindjes e aplikantit dhe certifikata e gjendjes familjare.
  • Vërtetimi i vendbanimit në bashkinë ku kërkohet vendstrehimi, ose leje banimi për familjet që kanë lëvizur nga zona të tjera të vendit.
  • Vërtetimi i të ardhurave neto të familjes/individit.
  • Dokumenti përkatës nga punëdhënësi (vërtetim punësimi), për detyrën dhe të ardhurat e aplikantit dhe të personave të tjerë të familjes që janë në marrëdhënie pune.
  • Dokumenti nga organet tatimore dhe nga sigurimet shoqërore për derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për të gjithë anëtarët e punësuar në familje.
  • Vërtetimi nga zyra e ndihmës dhe përkujdesjes pranë njësive të qeverisjes vendore për anëtarë, të përfshirë në programin e ndihmës ekonomike dhe të pagesës për personat me aftësi të kufizuar.
  • Vërtetimi nga zyra e punës e njësisë vendore përkatëse për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë.
  • Vërtetimi nga organet e sigurimeve shoqërore për personat në pension.
  1. Dokumenti zyrtar i celebrimit dhe certifikatat personale, për efekt të llogaritjes së moshës, për çiftet e reja.
  2. Vërtetimi nga ZRPP se familja apo ndonjë anëtar i saj nuk disponojnë në pronësi banesë a ndonjë mjedis që mund të përdoret si e tillë.
  3. Vërtetimi nga ZRPP për sipërfaqen e pronës që zotëron familja apo ndonjë anëtar i saj, kur banesa është me sipërfaqe nën normat në fuqi për strehim.
  4. Vërtetimi nga ZRPP të origjinës se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila mund të përdoret edhe për strehim, për familjet që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi, për të gjithë anëtarët e familjes.
  5. Vendimi i gjykatës, që i lë në ngarkim fëmijën ose fëmijët për çiftet e divorcuara, shoqëruar me vërtetimin nga zyra e përmbarimit për masën e pensionit që përfitojnë për fëmijët.
  6. Vërtetimi përkatës nga institucioni ku ka qenë i strehuar dhe librezën e jetimit, dhënë nga institucioni shtetëror i autorizuar, për individët me statusin e jetimit.
  7. Vërtetimi nga komisioni mjekësor për përcaktimin e aftësisë së kufizuar, për individë me aftësi të kufizuara.
  8. Dokument i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për personat që kanë statusin “emigrant”, “punëtor emigrant” dhe azilkërkues.
  9. Dokumenti i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për familjet e punonjësve të rënë në detyrë, që u përkasin Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Policisë së Burgjeve etj.
  10. Dokumenti i lëshuar nga institucionet përkatëse për viktimat e dhunës në familje. Urdhri i mbrojtjes i lëshuar nga gjykata e rrethit gjyqësor, seksioni familjar (fotokopje e njehsuar me origjinalin). Vërtetim nga strukturat e shërbimit social, qendrave sociale dhe rehabilitimit për viktimat e dhunës pranë njësive të qeverisjes vendore.
  11. Deklaratë noteriale që lëshohet nga kryefamiljari, që shprehet se është dakord që kredia të lëvrohet për aplikantin që rezulton i përfshirë në Formularin e Strehimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet